Kalo te përmbajtja kryesore
Jusuf Zejnullahu

Biografia

Nga Svirca te kryesimi i Qeverisë së Kosovës

Ekonomist, drejtues i Ferronikelit dhe Kryetar i Qeverisë së Kosovës në vitin që çoi te Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990.

Lindur
9 Shkurt 1944, Svircë, Medvegjë
Arsimimi
Magjistër i Shkencave Ekonomike, Zagreb
Ferronikeli
Drejtor Gjeneral, 1982–1986
Qeveria e Kosovës
Kryetar, 1989–1990
Libra
Tre vepra të botuara

1944–1963

Vitet e hershme dhe shkollimi

Jusuf Zejnullahu lindi më 9 Shkurt 1944, në Svircë, Komuna e Medvegjës.

Shkollën fillore katërvjeqare e kreu në fshatin fqinj, Stara Banjë, në gjuhën serbo-kroate, pasi që shkolla në gjuhën shqipe nuk kishte në atë kohë.

Shkollën tetëvjeqare, gjimnazin e ulët, e vijoi në Banjë të Sjarinës, poashtu në gjuhën serbo-kroate, të cilën e përfundoi me sukses të shkëlqyer në vitin 1959.

Shkollën e mesme, si shumë nxënës shqiptarë, e vijoi në Kosovë. Së pari u regjistrua në Gjimnazin e Gjilanit me deshirë që mëpastaj të studionte medicinën, por meqenëse për gjimnaz nuk kishte bursa, u detyrua t‘a leshonte atë dhe të regjistrohej në shkollën e mesme ekonomike.

Në vitin e dytë të shkollës ekonomike, si nxënës me sukses të dalluar, e fitoi bursën e Komunës së Gjilanit, që ishte vendimtare për të vazhduar shkollimin.

Përveq mësimit, u përfshi në aktivitete të ndryshme të shkollës. Në vitin e dytë u zgjodh sekretar i shkollës, ndërsa në atë të tretë kryetar i organizatës së rinisë së shkollës. Në vitin e katërt të shkollës u zgjodh sekretar i organizatës së rinisë së Komunës së Gjilanit. Në përfundimin e shkollës më 1963 mori pjesë në ndërtimin e autostradës “Bashkim - Vllaznim”, një herë si brigadier,e pastaj si komandant i një brigade punuese të rinisë nga Kosova.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, si bursist i komunës së Gjilanit, filloi detyrën e Kryetarit të Organizatës së Rinisë Popullore të komunës së Gjilanit me orientim që të vazhdonte studimet pas përfundimit të mandatit në këtë detyrë.

Në këtë detyrë nuk qendroi as nje vit të plotë dhe nga shërbimi sekret i UDB-së u akuzua për atë se gjoja ishte pjesëtar dhe udhëheqës i një organizate ilegale pro-shqiptare, synimi i së cilës ishte bashkimi i Kosovës me Shqipëri. Kur u vertetua se ky ishte vetëm një konstrukcion i UDB-ës, pas shumë mundimeve, arriti që me dorëheqje të largohet nga pozita e Kryetarit te Rinisë së komunës së Gjilanit.

Ngjarjet kryesore

  1. Lindi në Svircë, Komuna e Medvegjës

  2. Përfundon shkollën tetëvjeçare në Banjë të Sjarinës me sukses të shkëlqyer

  3. Përfundon shkollën e mesme ekonomike; komandant i një brigade punuese të rinisë

1964–1969

Studimet dhe Lidhja e Studentëve të Kosovës

Në vitin 1964 studimet univerzitare i vazhdoi në Fakultetin Juridiko-ekonomik në Univerzitetin e Prishtinës, i cili ishte në përbërje të Univerzitetit të Beogradit.

Katër vite më vonë, në pranverë të vitit 1968, i përfundon studimet me notë mesatare 9.40 dhe e fiton titullin e ekonomistit të diplomuar.

Në vitin e dytë të studimeve, me kërkesë të studentëve, u zgjodh kryetar i Lidhjes së Studentëve të Fakulteteve dhe Shkollave të larta të Prishtinës. Ende nën presionin e ngjarjes dhe akuzimeve nga Gjilani, ai refuzoi këtë detyrë, por refuzimi i kësaj detyre nuk u pranua nga Këshilli Qendror i Lidhjes së Studentëve.

Para mbajtjes së konferencës zgjedhore të Lidhjes së Studentëve refuzoi që listën e propozimeve për anëtar të Këshillit Qendror t‘a dorëzonte për verifikim në organet e Punëve të Mbrendshme dhe arriti që në organizatën e studentëve të përfshihen edhe studentët e shkollave të larta të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit me cka u mundësua formimi i Lidhjes së Studentëve të Kosovës, e jo si më parë vetëm i fakulteteve dhe shkollave të larta të Prishtinës.

Ky ndryshim në organizimin politik të studentëve nuk mbeti i pa vërejtur nga sherbimi sekret i UDB-së, i cili përforcoi përcjellet në fakultete dhe shkolla të larta dhe intenzifikoj burgosjet e studentëve nën akuza të veprimtarive ilegale. Në dimrin e vitit 1965 dhe 1966 situata u ashpërsua aq shumë saqë ishte pyetje e ditës se kur do të mirren masa drastike në udhëheqjen e organizatës së studentëve të Kosovës. U fillua me ndërhyrje në Komitet të Lidhjes së Komunistëve te Shkollave të larta dhe fakulteteve të Prishtinës me akuzë për gjoja se kishte gabime në udhëheqjen e Lidhjes së Studentëve dhe shkrimeve në gazetën e studentëve ”Panorama” e cila posa kishte filluar te publikohej. Ky ishte vetëm pretekst për të arritur demaskimin politik e mandej edhe penal.

Pas mbledhjes maratonike me Kryesinë e Lidhjes së Studentëve, ky Komitet nuk arriti të vërtetonte asnjë akuzë dhe kryesia e Lidhjes së Studentëve i hodhi poshtë ato. Edhe pse kjo tentativë dështoi, ishte e sigurtë se do të vazhdohet me ndërhyrje, por tani në mënyra tjera. Më e rëndomtja prej tyre ishte burgosja nën akuza të veprimtarisë armiqësore.

Në pritje të kësaj në pranverë të vitit 1966, në nivel të Federatës Jugosllave ndodhi një ngjarje e papritur. Nga të gjitha funksionet u largua Aleksandar Rankoviq, nënkryetar i Federatës Jugosllave, Sekretar organizativ i KQ LKJ dhe shef nominal i shërbimit sekret Jugosllav. Pas kësaj ngjarje u nderprenë të gjitha aksionet dhe veprimet e këtij sherbimi, u larguan agjentët e saj nga fakultetet dhe disa prej tyre u burgosën për deformime të rënda në punën e tyre.

Në vitin 1965, kishte ndodhur edhe një ndryshim tjetër ku familja e tij e cila jetonte ne Svircë, Komuna e Medvegjës, u shpërngul në Prishtinë. Të gjithë në familje ishin të papunë. Vëllezërit dhe motrat ishin ende të rinj dhe ishin në shkollë kurse babai nuk ishte i përgaditur për jetën në qytet. Për t’a mbajtur familjen u detyrua që krahas studimeve të gjente edhe punë për të ndihmuar familjen tetë- antarëshe. U inkuadrua në kooperativën e studentëve si arkëtar i saj dhe kështu me bursë që kishte fituar per studime dhe me pagë të arkëtarit duhej t’i përballonte vështirësitë e jetës së familjes.

Pas diplomimit në pranverë të vitit 1968-të, shkon në shërbimin ushtarak i cili ishte obligim për të gjithë.

Në shërbimin ushtarak shkon në vjeshtën e vitit 1968 në Sarajevë në shkollën ushtarake të oficerëve të logjistikës. Ishte ky viti i pushtimit te BRSS në Cekoslovaki dhe tentativës që në të njëjtën kohë të sulmohet edhe Jugosllavia si shtet që ishte në kundërshtim të plotë me bllokun ushtarak të lindjes dhe Bashkimin Sovjetik, gjë që këtë shërbim ushtarak e shëndrroj në shërbim të kushteve të luftës.

Ngjarjet kryesore

  1. Diplomohet ekonomist me notë mesatare 9.40, Universiteti i Prishtinës

  2. Kryetar i Lidhjes së Studentëve; zgjerohet në Lidhjen e Studentëve të Kosovës

1969–1975

Rrugët e Kosovës dhe zhvillimi ekonomik

Me perfundimin e shërbimit ushtarak ne vitin 1969 u kthye në Kosovë. Pasi që nuk pranoj detyren politike në postin e Sekretarit Gjeneral të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, u detyrua që vetë të kërkonte punësim. Në atë kohë nuk ishte shumë vështirë që të gjindej punë për një ekonomist të diplomuar pasi Kosova nuk kishte më shumë se dhjetë ekonomistë.

Ende i pa përcaktuar për ndonjë punë mori ftesën nga Kryetari i Qeverisë së Kosoves i cili i ofroj punë në organet e Qeverisë. Me propozimin e Enis Preshevës, Sekretar i Ekonomisë së Kosovës dhe ekonomist i shquar, ne vjeshtë te vitit 1969 e filloj punën në detyrën e nënsekretarit në këtë sekretariat dhe u ngarkua me detyrë të koordinimit të sektorit për komunikacion dhe lidhje të Kosovës.

Kosova në këtë kohë ishte në gjendje tejet të rëndë në pikëpamje të rrugëve. Nuk kishte më shumë se dy rruge të asfaltuara, ajo që lidhte Prishtinën me Mitrovicën prej 40 km dhe ajo që lidhte Pejën me Deqanin qe nuk ishte as 20km. Në këtë detyrë u përqendrua në hartimin e Strategjisë së modernizimit dhe ndërtimit të rrugëve të Kosovës të cilën, pas përfundimit, e aprovoi Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Në bazë të kësaj u akordua vija masive kreditore nga Banka Botërore dhe filloi ndërtimi intenziv i rrugëve në Kosovë.

E bazuar në këtë strategji, filloj dhe perfundoj asfaltimi i rrugës qarkore të Kosovës, rrugës Adriatike nëpër Kosovë, u lidhën 22 komuna të Kosovës me rrugë të asfaltuara, u ndërtuan rrugët: Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan, Gjilan-Preshevë, Pejë-Rozhaj, Klinë-Gjakovë, dhe në Gjakovë kufiri me Shqiperi, bashkë me urën në lumin Erenik. Në të njëjtën kohë u ndërtua edhe aeroporti i Prishtinës, hekurudha Klinë - Prizren dhe u modernizua dhe u zgjerua rrjeti i PTT-së.

Në vitin 1972 kalon në postin e këshilltarit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës. Në këtë post kryesisht u angazhua në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në krijimin e bazës juridike dhe sistemore të atij zhvillimi. Bashkë me disa ekonomistë të tjere u përqendrua në hartimin dhe arsyetimin e strategjisë më racionale të zhvillimit të Kosovës duke u nisur nga nevoja e rritjes së inkuadrimit dhe standardit jetësor të popullit. Pjesa dermuese e kësaj strategjie u jetësua dhe mbi të u ndërtua një strukturë e re ekonomike e Kosovës me dominim të industrisë dhe prodhimtarisë.

Krahas këtyre angazhimeve vazhdon edhe studimet postdiplomike të cilat i vijon në Fakultetin Ekonomik në Univerzitetin e Zagrebit në grupin e strategjive ekonomike. Pas dy viteve, pikërisht ne vitin 1972, me sukses të lartë i përfundon këto studime dhe e fiton titullin akademik Magjistër i Shkencave Ekonomike.

I orientuar që edhe më tej të ngris nivelin profesional në lëminë e ekonomisë, e leshon poziten këshilltarit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës dhe në vitin 1975 punësohet si Drejtor i Institutit për zhvillimin ekonomik të Komunes së Prishtinës. Krahas punës dhe studimeve, për të zbutur mungesën e madhe, angazhohet edhe si profesor i lëndëve ekonomike në shkolla të mesme të Prishtinës.

Ngjarjet kryesore

  1. Nënsekretar i Ekonomisë — harton Strategjinë e modernizimit të rrugëve të Kosovës

  2. Magjistër i Shkencave Ekonomike, Universiteti i Zagrebit

  3. Drejtor i Institutit për zhvillimin ekonomik të Komunës së Prishtinës

1976–1982

Prishtina dhe Oda Ekonomike e Kosovës

Në vitet e shtatëdhjeta u bënë ndryshime të mëdha në shumë fusha të jetës. Më nuk ishte e mundur që të arrihen përparime me njerëz me nivele të ulta të shkollimit dhe edukimit, si në jetën ekonomike ashtu edhe në atë politike. U ndi nevoja e involvimit të profesionistëve jo vetëm në lëmitë profesionale por edhe ato politike, veqanërisht në sektoret e ekonomisë dhe veprimtarive sociale dhe shoqërore. Në bazë të kësaj nevoje, pas presionit të fortë, në vitin 1976 kalon ne detyren e Sekretarit në Komitetin e LK të Prishtinës.

Në këtë detyrë e fillon angazhimin në drejtim të ndryshimit në disa lëmijë të rëndësishme, e veqmas në sektorin kadrovik të strukturës profesionale dhe nacionale të ekipeve udhëheqëse dhe eliminimin e shumë dobësive dhe deformimeve, sidomos në punësim, si dhe përmirësimin e standardit jetësor të njerëzve dhe ngritjen e nivelit të zhvillimit ekonomik. Sidomos ishte e nevojshme ngritja e përgjegjësisë në të gjitha nivelet e jetës së përditshme prej individit e deri te organet më te larta të shtetit. Për t‘i realizuar këto orientime, u vendos një metodë krejtësisht e re e punës politike në Komunën e Prishtinës. Çdo aktivitet, ngjarje apo dobësi, pa marrë parasysh se ku ndodhte, bëhej publike dhe me të njoftohej i tërë opinioni.

Përveq mjeteve të informimit publik të cilat ishin nën mbikqyrje të rreptë, u përdorën mjete interne si informata urgjente dhe mbledhje të veqanta ku komunikohej haptas dhe realisht në masa të gjëra. Në bazë të kësaj u krijua një atmosferë përkrahjeje nga opinioni i gjerë. Kjo ngriti inkuadrimin e opinionit publik në jetën e përditshme politike dhe shoqërore, presioni i të cilit kontribuoi dukshëm në zgjidhjen e problemeve ekzistuese të të gjitha natyrave. Në vecanti pati jehonë vendimi që askush të mos qëndronte në poste publike më gjatë se një mandat. Kjo gjë i goditi të gjithë ata që me dekada qëndronin në pozita udhëheqëse edhe pse në to nuk tregonin asnjë invencion apo ndonjë sukses të dobishëm për shoqërinë dhe se ishte kompenzim i mungesës së zgjedhjeve të lira. Kjo metodë e punës solli ndryshime të mëdha e sidomos në përbërjen nacionale të udhëheqjeve në të gjitha nivelet. Përbërja e shqiptarëve në këto udhëheqje nga më pak se 25% u rrit në mbi 75% dhe dukshëm iu afrua strukturës nacionale të popullësisë në Komunë dhe Kosovë. Në vjeshtë të vitit 1979, pas përfundimit të mandatit dhe në pajtim me qëndrimin që në funksione politike mos të qendrohet më shume se një mandat, kalon në Odën Ekonomike të Kosovës në postin e nënkryetarit të saj.

Në Odën Ekonomike, bashkë me shumë ekonomist të tjerë, u përqendrua në ngritjen e efikasitetit të ekonomisë ekzistuese dhe zhvillimit të hovshëm ekonomik të Kosovës. Me lehtësi vendosi komunikimin me bashkëpuntorë në sferën profesionale, dhe raporte të afërta me afaristë dhe udheheqës të ndërmarrjeve ekonomike, duke u angazhuar në zgjidhjen e problemeve në ndërmarrjet e tyre dhe realizimit dinamik të zhvillimit të ekonomisë, në pergjithësi.

Gjatë këtyre viteve, ekonominë e vendit e kishte përfshirë kriza ekonomike, kurse ajo e Kosovës vuante prej nivelit të ulët të zhvillimit, kushteve të imponuara në strukturën e saj dhe udhëheqjeve joprofesionale në ndërrmarrje ekonomike.

Për të evituar këtë krizë, në nivel të Federatës Jugosllave u ngrit një komision shtetëror me detyrë që të hartoj Projektin e Reformës Ekonomike. Në komision u përfshin udhëheqësit kryesor të Republikave dhe Krahinave Autonome, Kosovës dhe Vojvodinës. Vetëm pas disa mbledhjeve të këtij komisioni, udhëheqësia e Kosovës u autorizua që të angazhohej në punë profesionale në këtë Komision. Për dy vite, sa zgjati hartimi i projektit të reformës, punoj në këtë komision por pa lënë anash punët e përditshme në Odën Ekonomike.

Ky angazhim, si dhe puna në përcaktimin e Reformës Ekonomike, profesionalisht e afirmoi dhe kontriboi që të profilohet si ekspert i ekonomisë, gjë që i shtoi kërkesat për bashkëpunim dhe këshilla në zgjidhjen e shumë vështirësive aktuale ekonomike, si në ndërmarrje ekonomike ashtu edhe në sistemin ekonomik në përgjithësi.

Ngjarjet kryesore

  1. Sekretar i Komitetit të LK të Prishtinës

  2. Nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

1982–1986

Ferronikeli — nga dështimi në gjigant metalurgjik

Në këtë kohë, ekonomia e Kosovës ishte në zhvillim të hovshëm. Ishin në ndërtim disa projekte të medha prodhuese. Një prej tyre ishte edhe projekti i metalurgjisë së nikelit “Ferronikeli” një investim i madh në metalurgji, vlera e të cilit kapte shumën e gati një miliard dollarë. Pas afër tre vitesh në ndërtim, ardhmëria e këtij investimi u vu në pikëpytje. Nga qarqet e shtetit federal u cilësua si investim i dështuar dhe u kërkua ndërprerja e investimeve dhe mbyllja e projektit.

Duke u nisur nga mundësitë e tij profesionale dhe me qëllim të shpëtimit të këtij projekti të madh, në vitin 1982, Kuvendi i Kosovës si themelues, e emëron në detyrën e Drejtorit Gjeneral të Kombinatit metalurgjik „Ferronikeli“. Në ndërtimin e metalurgjisë së Ferronikel-it, përveq kolektivit të ndërrmarrjes prej më se 2.000 punëtorë, ishin të angazhuar edhe shume ndërtues dhe montazhues të tjerë nga mbarë bota, që arriti deri në 9.000 punëtorë. Në objekt ishin të angazhuar më se 120 ekspert nga Bashkimi Sovjetik dhe dhjetra tjerë nga vendet perëndimore si Norvegji, Gjermani dhe Danimark, të cilët ishin liferues të stabilimenteve kyqe të metalurgjisë së nikelit. Projektin e ndërtimit dhe teknologjisë së prodhimit të nikelit e kishte hartuar një institut nga Bashkimi Sovjetik me obligim që të vertetoj teknologjinë në kohën e prodhimit provues të nikelit.

Me marrjen e projektit nën udhëheqje, bëri ndryshime rrënjësore në udhëheqjen e investimeve dhe në organizimin e ndërtimit, dhe për më pak se dy vite i tërë projekti u aktivizua dhe filloj prodhimi i nikelit. Fillimi i prodhimit vërtetoj se teknologjia ruse nuk e mundëson vazhdimin e prodhimit dhe tërë projektin thuajse e solli ne prag të dështimit total.

Kur u prit shpallja e dështimit të projektit dhe mbyllja e tij, ai urdhëroj që të braktiset teknologjia ruse e prodhimit të nikelit dhe nga fabrika të largohen të gjithë ekspertët rus. U aplikua teknologji e re në prodhimin e nikelit, krejtësisht e ndryshme nga ajo ruse, e cila më parë u pergatit në mënyrë sekrete. Braktisja e teknologjisë ruse dhe largimi i ekspertëve rus shkaktoj reagime të mëdha në nivel të Federatës Jugosllave, e në vecanti nga Bashkimi Sovjetik i cili nuk mund t’a pranonte largimin e ekspertëve të vetë nga projekti, e aq më pak dështimin

Këto reagime nuk u perfillën dhe prodhimi i nikelit vazhdoi me sukses të madh, me teknologji të re. Kështu, në vend të dështimit, metalurgjia e nikelit u shëndrrua në ndërmarrje të suksesshme, prodhimi i së cilës në tërësi shkonte në export në vendet perëndimore, gjë që kishte rëndësi vendimtare për tërë ekonominë e Kosovës dhe bilancin e saj devizor (valutave të vendeve perëndimore).

Pas katër vitesh në krye të Ferronikel-it dhe suksesit të arritur në prodhim, me kërkesën e tij, u largua nga ky kombinat metalurgjik.

Ngjarjet kryesore

  1. Emërohet Drejtor Gjeneral i Kombinatit metalurgjik «Ferronikeli»

  2. Braktis teknologjinë ruse dhe shpëton projektin — prodhimi i nikelit fillon me sukses

1986–1990

Federata Jugosllave dhe Qeveria e Kosovës

Në vitin 1986 u emërua në postin e nënkryetarit të Odës Ekonomike të Federatës Jugosllave i ngarkuar me koordinimin e ecurive vijuese ekonomike, sistemit ekonomik, sistemit monetar dhe bankar. Ishte kjo periudhë në të cilën ekonomia dhe sistemi Federativ i Jugosllavisë kalonte nëpër vështirësi të mëdha. U paraqitën tendenca të dezintegrimit të Federatës. Në ballë të këtyre tendencave qëndronte Serbia e cila nuk mund të pajtohej me faktin se më nuk dominonte mbi republikat tjera dhe se nuk e kishte nën mbikqyrje Kosovën dhe Vojvodinën, të cilat ishin subjekte të formimit të Federatës, sikur gjashtë republikat tjera. Kështu, qështjet politike dominonin në jetën e përditshme të funksionimit të Federatës të cilat ndikuan që edhe më tej të thellohej kriza ekonomike në vend.

Në këtë situatë, kur Serbia me ndryshimin e kushtetutës së saj edhe më tej intenzifikoj orientimin e shuarjes së autonomisë së Kosoves, me kërkesa të shumë personaliteteve të shquara nga Kosova dhe mbarë vendi, e në vecanti nga Sllovenia dhe Kroacia, në qershor të vitit 1989 u zgjodh në udheheqësi të ngushtë të Federatës Jugosllave, në postin e anëtarit të Kryesisë së LKJ-se. Në këtë organ ishin të përfaqësuara gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome që e përbënin Federatën Jugosllave dhe ishin të barabarta në vendimmarrje. Kompetencat e këtij organi në drejtimin e Federatës ishin të mëdha. Ishte kjo pozitë nga e cila ishte e mundur që të mbrohet Kosova dhe të ruhet pozita e saj si subjekt i barabartë i Federatës. Këtë e mundësonte vet përmbajtja e kushtetutës së Federatës e cila garantonte barabartësinë e plotë të subjekteve që e kishin formuar, pra edhe Kosovës.

Respektimi i kësaj Kushtetute dhe ndalimi i Serbisë në veprimet e saja jashtëinstitucionale u bë detyrë kryesore politike në këtë organ, në krah të së cilës ishin edhe përfaqësuesit e Kosovës, Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Megjithatë, në këto kushte u vështirësua mbrojtja e Federatës dhe pozita e Kosovës si subjekt i saj. Ajo tani mund të mbrohej nga vetë populli dhe nga organet legjitime të Kosovës, por jo në organet e Federatës.

Në këtë situatë, pas zgjedhjeve të rregullta e të përgjithshme për organet e pushtetit të Kosovës, të zhvilluara në Nëntor të vitit 1989, ai u kthy në Kosovë dhe Kuvendi i ri e zgjodhi Kryetar të Qeverisë së Kosovës.

Kosova në këtë kohë ishte nën presion të paparë nga Serbia. Serbia e kishte ndryshuar kushtetutën e saj dhe në ato ndryshime Kosova ishte cilësuar si pjesë e Serbisë, përkundër faktit se Kosova ishte autonomi në kuadër të Federatës së Jugosllavisë dhe ishte formuese e saj. Kushtetuta e Kosovës dhe ajo e Federatës nuk kishin ndryshuar. Ndryshimet në kushtetutën e Serbisë mbetën vetëm qështje e saj dhe nuk ishin të realizueshme dhe të pranueshme as në Kosovë e as në Jugosllavi.

Kuvendi dhe Qeveria e re e Kosovës, pas zgjedhjeve të përgjithshme, vazhduan punën në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe të asaj të Federatës. Nuk i perfillën fare kërkesat e Serbisë dhe kushtetutën e saj në asnjë element. Kjo shkaktoj keqësimin e mëtejshëm të raporteve me Serbinë dhe njëkohësisht edhe me organet politike të Kosovës të cilët ishin rradhitur në anën e Serbisë. Serbia, e cila vetëm disa muaj më parë e kishte shpallur vetën si unike, nuk mund të pranonte këtë dhe filloj ashpër të kundërshtonte kursin e pavarrur të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në këtë situatë, Qeveria e Kosovës e shpalli ndarjen totale të organeve të pushtetit të Kosovës nga organet politike, gjegjësishtë nga LK e Kosovës, u deklarua për zgjedhje të lira dhe shumëpartiake, i pranoj partitë alternative politike dhe LDK-në si faktor relevant politik në Kosovë. Në të njëjtën kohë vendosi që të mos pranohet asnjë dokument i Serbisë i drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës pasi që ato ishin në kundërshtim të thellë me kushtetutën e Kosovës dhe Federatës Jugosllave.

Situata e përgjithshme u komplikua deri në atë mase saqë qendrimi i tij në krye të Qeverisë u bë i pamundur. I vetëdijshëm se nuk do të ia arrin që të përmirësoj situatën e krijuar, pas katër muajëve qëndrimi në krye të Qeverisë, ai ofroj dorëheqjen e parevokueshme në postin e Kryetarit të Qeverisë së Kosovës. Kuvendi i Kosovës, pas gati dy muaj debatimi, pozitivisht e vlerësoi punën e tij dhe të Qeverisë dhe përfundimisht refuzoi të pranonte doreheqjen e tij dhe përkundrazi shprehu besimin e plotë në vazhdimin e drejtimit të mëtejshëm të Qeverisë së Kosovës.

Kjo aspak nuk e përmirësoi raportin me Serbinë dhe u keqësua edhe më shumë saqë Serbia kerkoj që të dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Serbisë, të mblidheshin në Prishtinë dhe të bënin përpjekje për dalje nga kriza.

Ngjarjet kryesore

  1. Nënkryetar i Odës Ekonomike të Federatës Jugosllave

  2. Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë

  3. Zgjidhet Kryetar i Qeverisë së Kosovës

  4. Ofron dorëheqjen e parevokueshme në shenjë proteste

  5. Kuvendi i Kosovës e refuzon dorëheqjen dhe shpreh besimin e plotë

1990–1991

Gërmia, Deklarata Kushtetuese dhe grushtshteti

Kjo mbledhje u mbajt me 9 Qershor, 1990, në njërën nga sallat e klubit të delegateve në Gërmi. Pas më se 17 orë debatimi, në të cilen u paraqiten kërcënime të ashpëra nga Qeveria e Serbisë me kërkesë që të pranohet politika e Serbisë ndaj Kosovës dhe aplikimi i plotë i kushtetutës së Serbisë në Kosovë, ne cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Kosovës, Jusuf Zejnullahu vendosmërisht e refuzoi në tërësi zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë, që ishte edhe kundërshtimi i parë i hapur dhe institucional i Kosovës ndaj politikës së Serbisë, që nga përfundimi i luftës së II-të Botërore.

Pas kësaj mbledhjeje ishte e nevojshme që të ndërmirren hapa konkret kushtetues për mbrojtjen e pozitës së Kosovës.

Në bazë të kësaj, nën drejtimin e tij u bë përcaktimi definitiv i tekstit të Deklaratës Kushtetuese të cilën më 2 Korrik 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës e aprovuan dhe Kosova u shpall e pavarur, më të drejtë të shkëputjës nga Federata Jugosllave.

Më 5 korrik, Serbia me ndihmën e Armatës Jugosllave bëri grusht shtet dhe e okupoj Kosovën, duke e larguar me dhunë Qeverinë dhe Kuvendin e saj.

Nga pozita e Kryetarit të Qeverisë së Kosovës, ai hodhi poshtë okupimin dhe e njoftoj opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës do të mbesin organe legjitime dhe kushtetuese të popullit të Kosovës dhe se puna e tyre do të vazhdoj. Në bazë të vendimit për zgjedhje të lira dhe për nje sistem shumëpartiak, me LDK-në dhe partitë tjera alternative, ai filloi konsultimet për hapa të mëtejshëm në kushte të krijuara nën okupim. Vazhdoj koordinimin e përgaditjes së Kushtetutës dhe organizimin e mledhjes së Kuvendit të Kosovës në të cilin do të aprovohej Kushtetuta e përgaditur. Për këtë angazhim ai u burgos nga policia e Serbisë dhe vetëm falë reagimeve të ashpëra të opinionit botëror u lirua bashkë me anëtarët e tjerë të qeverisë të cilët poashtu u burgosën.

Me 7 Shtator 1990 në Kaqanik, Kuvendi i Kosovës e aprovoj Kushtetutën e përgaditur, e shpalli Kosovën Republikë dhe e emëroj atë Kryetar të Qeverisë së Republikës së Kosovës me mandat që të drejtonte Qeverinë deri në zgjedhje të lira. Pas shpalljes së Republikës, me qëllim të vazhdimit të punës në jetësimin e Republikës, bashkë me një numër të anëtarëve të Qeverisë dhe delegatë të Kuvendit, u largua nga Kosova.

Në verë të vitit 1991, LDK mblodhi një numër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe, pa e respektuar Kushtetutën e Republikës nga Qeveria legale dhe kushtetuese, e formoj Qeverinë e përkohëshme.

Në këtë situatë, për të mos futur ndasi në mes faktorëve relevant politik dhe organeve legjitime shtetërore, dhe për të mos komplikuar më tej situatën e përgjithshme, ai ndërpreu punën si Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ngjarjet kryesore

  1. Mbledhja e Gërmisë — mbi 17 orë; refuzimi i parë i hapur institucional i politikës së Serbisë që nga Lufta e Dytë Botërore

  2. Miratohet Deklarata Kushtetuese — Kosova shpallet e pavarur

  3. Grushtshteti — Serbia dhe Armata Jugosllave largojnë me dhunë Qeverinë dhe Kuvendin

  4. Burgoset nga policia e Serbisë; lirohet pas reagimeve ndërkombëtare

  5. Kushtetuta e Kaçanikut — emërohet Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës

  6. Ndërpret punën si Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës

1999–2026

Pas luftës, mërgimi dhe autorësia

Me përfundimin e luftës dhe me qëllimin e nxitjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke i përdorur lidhjet e mëparshme afariste, ai e nxiti multi-kompaninë angleze Blue Circle për prodhimin e çimentos, për të investuar në rikonstruimin e fabrikës së çimentos “Sharr” në Elez Han. Me angazhimin e tij si drejtor i përfaqësisë së kësaj kompanie për Kosovë, përgaditi projektin e rikonstruimit të fabrikës dhe u siguruan dhjetra miliona dollar investime për prodhimin e treqind mijë tonelata çement në vit, që mjaftonin për rindërtimin e Kosovës pas luftës si dhe inkuadrimin e më shumë se 4.000 puntorëve në këtë dhe fabrikat tjera të përpunimit dhe përdorjes së çimentos.

Konkurenca e këtij prodhimi nga vendet fqinje, pasi më parë me miliona marka gjermane i korruptoj zyrtarët e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe të Ministrisë për Rindërtim të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, arriti të bllokonte realizimin e këtij investimi.

I bindur se kjo dhe dukuritë tjera dekadente për një kohë të gjatë do t’a percjellin Kosovën, në vitin 2001 u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u bashkuar me femijët e tij, të cilët studionin në Amerikë. Që nga viti 2001, Jusuf Zejnullahu vazhdon të zgjeroj diturinë në lëmitë e ekonomisë, shkencës dhe filozofisë. Ka publikuar dy libra, Stuhi Lufte mbi Kosovë dhe Rezistenca e Thyer. Po ashtu ka përfundar shkrimin e librit ekonomik, Vendimet e Suksesit, i cili pritet të botohet në vitin 2021.

Ngjarjet kryesore

  1. Drejton projektin e rikonstruimit të fabrikës së çimentos «Sharr» me Blue Circle

  2. Largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

  3. Boton «Stuhi Lufte mbi Kosovë»

  4. Boton «Rezistenca e Thyer»

  5. Boton «Feronikeli — nga dështimi, në gjigant metalurgjik»

Kronologjia e plotë

Të gjitha ngjarjet e rëndësishme, nga viti 1944 deri sot.

  1. Lindi në Svircë, Komuna e Medvegjës

  2. Përfundon shkollën tetëvjeçare në Banjë të Sjarinës me sukses të shkëlqyer

  3. Përfundon shkollën e mesme ekonomike; komandant i një brigade punuese të rinisë

  4. Diplomohet ekonomist me notë mesatare 9.40, Universiteti i Prishtinës

  5. Kryetar i Lidhjes së Studentëve; zgjerohet në Lidhjen e Studentëve të Kosovës

  6. Nënsekretar i Ekonomisë — harton Strategjinë e modernizimit të rrugëve të Kosovës

  7. Magjistër i Shkencave Ekonomike, Universiteti i Zagrebit

  8. Drejtor i Institutit për zhvillimin ekonomik të Komunës së Prishtinës

  9. Sekretar i Komitetit të LK të Prishtinës

  10. Nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

  11. Emërohet Drejtor Gjeneral i Kombinatit metalurgjik «Ferronikeli»

  12. Braktis teknologjinë ruse dhe shpëton projektin — prodhimi i nikelit fillon me sukses

  13. Nënkryetar i Odës Ekonomike të Federatës Jugosllave

  14. Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë

  15. Zgjidhet Kryetar i Qeverisë së Kosovës

  16. Ofron dorëheqjen e parevokueshme në shenjë proteste

  17. Kuvendi i Kosovës e refuzon dorëheqjen dhe shpreh besimin e plotë

  18. Mbledhja e Gërmisë — mbi 17 orë; refuzimi i parë i hapur institucional i politikës së Serbisë që nga Lufta e Dytë Botërore

  19. Miratohet Deklarata Kushtetuese — Kosova shpallet e pavarur

  20. Grushtshteti — Serbia dhe Armata Jugosllave largojnë me dhunë Qeverinë dhe Kuvendin

  21. Burgoset nga policia e Serbisë; lirohet pas reagimeve ndërkombëtare

  22. Kushtetuta e Kaçanikut — emërohet Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës

  23. Ndërpret punën si Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës

  24. Drejton projektin e rikonstruimit të fabrikës së çimentos «Sharr» me Blue Circle

  25. Largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

  26. Boton «Stuhi Lufte mbi Kosovë»

  27. Boton «Rezistenca e Thyer»

  28. Boton «Feronikeli — nga dështimi, në gjigant metalurgjik»